Letersia ne totalitarizen dhe " Dissier K"

$20.00

 

Titulli: Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K"
Origjinali: Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K"
Gjinia: Kritikë letrare
Autori: Shaban Sinani
Shqipëroi:
Shtëpia botuese: Naimi
Viti: 2011
Fq. 478
Pesha: 0.60 kg
ISBN: 978-9928-109-09-5

"Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K", është në vijim të botimit të mëparshëm i "Një dosje për Kadarenë", i cili u publikua për herë të parë në vitin 2005 në Tiranë.

Në maj të vitit 2006 "Një dosje për Kadarenë" u botua frëngjisht nga "Editions Odile Jacob", me titullin "Le Dossier Kadaré", në përkthimin elegant të Tedi Papavramit. Ky botim, i cili më vonë qarkulloi dhe në version të numerizuar (CD) dhe në formatin eBook, shoqërohet nga bashkëbisedimi i shkrimtarit Ismail Kadare me studiuesin francez Stéphane Courtois, një prej specialistëve më autoritarë të historisë së luftës së ftohtë në Europë, drejtor i Qendrës së Studimeve Kombëtare të Francës (CNRS - "Centre National des Recherches Scientifique").

Botimi i ri "Letërsia në totalitarizëm dhe "dossier K", nën siglën e e shtëpisë botuese "Naimi", Tiranë 2011, ka shumë ndryshime prej të parit dhe prej botimit në gjuhën frënge. Në gjendjen e re libri përmban dy pjesë. Në pjesën e parë botohet monografia "Letërsia në totalitarizëm: I. Kadare", një studim i nisur dhe i kryer si projekt shkencor, që ka për qëllim të paraqesë kushtëzimin kontekstual të letërsisë në shoqëritë e mbyllura, përmes rastit më të diskutueshëm gjatë dy dekadave të fundme, letërsisë së Ismail Kadaresë. Studimet letrare, sido që për nga natyra dhe metodat bashkëkohore janë gjithnjë e më tekstocentriste, kur është fjala për letërsinë e gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, qoftë në Shqipërinë shtetërore, qoftë në Kosovë, nuk i shmangen dot kontekstit historik.

Në pjesën e dytë botohen dokumentet, të pajisura me shenjime informuese të saktësuara e të plotësuara, si dhe me referencat e burimit arkivistik, që lejojnë e lehtësojnë shfrytëzimin e tyre prej cilitdo që është i interesuar për një njohje të drejtpërdrejtë të tyre. Në këtë botim janë shtuar afërsisht 15 dokumente të reja, të cilat në kohën e botimit të parë e të dytë ishin ende nën kufizimet e Ligjit 9154 "Për Arkivat" ose nuk ishin identifikuar në procesin kërkimor. Midis dokumenteve të shtuara, dy letra të M. Shehut për E. Hoxhën, që botohen në këtë libër për herë të parë, janë me rëndësi parësore për të kuptuar raportet e shkrimtarit me pushtetet dhe sidomos për të verifikuar konceptin për letërsinë si çështje shtetërore. Paraqitja e dokumenteve bëhet sipas kronologjisë. Paraqitja e dokumenteve metodologjikisht është bërë njësoj: në fillim një argument i mjaftueshëm për të kuptuar përmbajtjen, duke përdorur leksikun e hartuesve të tyre (në ligjëratë të drejtë, në shkallën që ishte e mundshme); në vijim fjalët dhe shprehjet kyçe, për t&#39u dhënë lehtësi studiuesve të njehsojnë interesat e tyre; dokumentet vetë me titujt që mbajnë në burim dhe me tipologjinë që kanë shenjuar nënshkruesit (recension, relacion, letër, ekspertizë), si dhe me të dhëna për persona historikë. Në fund gjenden: signatura (treguesit arkivistikë që mundësojnë rikërkimin); shenjimet e plota të nëpunësve, funksionarëve dhe të lidershipit politik; të dhëna të tjera prej shërbimit arkivistik në zyrën fondkrijuese.

Duke qenë një botim i llojit dossier, nuk është përzgjedhur a përjashtuar asnjë dokument i zbuluar dhe ndonjëherë botimi i tyre përmban edhe fragmente që s&#39lidhen drejtpërdrejt me argumentin e këtij libri, por thjesht përjashtojnë paragjykimet. Duke qenë se gjatë dy dekadave të fundme janë bërë shumë debate për vërtetësinë a pavërtetësinë e paraqitjes publike të bashkëbisedimit/debatit të intelektualëve shqiptarë në takimin me R. Alinë në gusht të vitit 1990 (në atë kohë kryetar i shtetit shqiptar), në përbërje të këtij libri botohet për herë të parë në tërësi pjesa e debateve Kadare-Alia, shoqëruar me referenca të sakta kronografike në fonodokumentin origjinal.

Në botimin e ri "Letërsia në totalitarizëm dhe "Dossier K", botimet "Naimi", Tiranë 2011, u gjykua me vend që të vihen emrat e plotë të hartuesve dhe nënshkruesve të dokumenteve, për atë pjesë që në botimet e mëpërparshme kishin mbetur të identifikuar vetëm me nistore (iniciale), kryesisht për arsye etike. Botimi i dokumenteve me nënshkrimet e plota të autorëve do të dëshmojë shkallën e paimagjinueshme të demonizimit të shkrimtarit prej shkrimtarit gjatë periudhës totalitare; si dhe mund të ndikojë për mirë në debatet që hapen e rihapen në formë fushatash gjatë gjithë këtyre viteve për qëndrimin ndaj fshehtësive të arkivave dhe sidomos ndaj dosjeve të policisë së fshehtë politike.


Add to Cart:

  • Shipping Weight: 4lbs
  • 12 Units in Stock
  • Manufactured by: Botime Naimi



This product was added to our catalog on Wednesday 18 April, 2012.

Your IP Address is: 54.156.82.247